“Bisha” Kasemiro vlen për dy, Reali kalon Seviljen e Lopetegit!

Fitorja duhet quajtur e merituar, edhe pse shumë e vështirë përballë një kundërshtari të fortë. Reali gdhihet në krye të La Ligës pas suksesit 2-1 ndaj Seviljes në “Bernabeu”, në një duel që krijoi polemika e nerva, por pati edhe një hero të papritur. “Bisha” Kasemiro vlejti për dy për Realin, pasi shënoi të dy golat, dhe shumëkujt iu kujtuan fjalët e Zidanit pas fitores së Superkupës së Spanjës, kur e thirri brazilianin “eja këtu ti egërsirë”.

U desh shfaqja e pamenduar e mesfushorit “shkatërrues” për të fituar, edhe pse në fushë ishte Karim Benzema, po ashtu Rodrigo apo Lukas Vaskez. Në të vërtetë, Zidani e nisi ndeshjen me treshen e sulmit Joviç-Rodrigo-Lukas Vaskez, por kjo nuk funksionoi, ndërsa më pas hynë Benzema dhe Vinisius. Në mesfushë ishin edhe Luka Modriç dhe Toni Kros, ndërsa në mbrojtje mungonte kapiteni Sergio Ramos, gjë që krijoi probleme.

Polemikat erdhën pasi Seviljes iu anulua një gol që mund t’i kishte dhënë epërsinë 2-1, pasi Gudelj u vlerësua se bëri faull përpara sesa të realizohej. Trajneri Lopetegi, ishi i Spanjës dhe i Realit, protestoi ashpër, aq sa u desh drejtori sportiv, Monçi për ta qetësuar. Edhe Monçi protestoi, por Zidani u përgjigj me të drejtë se “duhej anuluar edhe goli i parë i Seviljes për prekje të topit me dorë, pra çfarë mund të them unë?” Reali ka tani 43 pikë, 3 më shumë sesa Barcelona që pret sot Granadën, ndërsa Atletiko e Madridit mbeti 9 pikë pas vendit të parë pas humbjes në fushën e një Eibari të madh.

Sfidanti.al