Miluoki dhe Antetokumbo janë kampionët e rinj të NBA-së

U desh të pritej për 50 vjet, por qyteti në veriperëndim të SHBA-së më në fund e pa ditën e bardhë. Miluoki Baksët janë kampionët e rinj të NBA-së pas fitores 105-98 ndaj Feniks Sansëve, dhe brezi i Janis Antetokumbos përsëriti atë që kishte bërë në 1971 gjenerata e lavdishme e Oskar Robertsonit dhe Karim Abdul Xhabarit (në atë kohë i njohur si Lju Alsindor). Rezultati përfundimtar i serisë finale ishte 4-2 me fitore, ndërsa ndeshja që i kurorëzoi me titull u luajt pikërisht në Arenën e shtëpisë, në prani të rreth 20 000 tifozëve, si edhe të 65 000 të tjerëve që festuan në sheshin qendror.

Antetokumbo shkëlqeu për ditën e shënuar, duke realizuar 50 pikë e kapur 14 topa në tabela, si dhe duke bërë 5 bllokime gjuajtjesh. Ai shënoi gati gjysmën e pikëve të ekipit, si dhe pati një përqindje shumë të lartë në gjuajtjet e lira, 17-19, diçka aspak normale për të. Miluoki dominoi tabelat duke kapur 53 topa ndaj vetëm 37 të Feniksit, po ashtu pati më shumë asistë (20 ndaj 14), dhe loja në mbrojtje bëri diferencën. Antetokumbo u shpall lojtari më i mirë i finaleve, ndërsa të gjithë e thërrasin “Greek Freak” (Grik Frik), që pak a shumë do të thotë “greku i tmerrshëm”, që mund të jetë edhe “fanatik” apo “i çuditshëm”.

Sfidanti.al