“Babai” i shtëpisë, Arsen Venger, duket se e ka humbur autoritetin, ose ndoshta në këtë drejtim nuk e ka pasur kurrë. Menjëherë pas ndeshjes së Arsenalit, fituar 2-0 në fushën e Saton Junajtidit për Kupën e Anglisë, klubi i vogël i kategorisë së pestë botoi foto nga dhoma e zhveshjes dhe ajo e dushit të futbollistëve të Arsenalit, ndërsa ata ishin larguar nga “Garder Grin Lejni”.
Nga katër fotot, që ju i shikoni edhe këtu, dy i përkasin dhomave përpara sesa yjet e Arsenalit të hynin aty, dhe dy të tjerat pasi ata ishin larguar. Në të parat duket qartë përpjekja e respektueshme e klubit të vogël për ta pasur stadiumin e tij të pastër, ndonëse modest, ndërsa në të dytat duket sesa shkeleshko janë sjellë futbollistë të tillë si Ozil, Ualkot, Okslejd-Çembërlen apo Mustafi, ndonëse është e pamundur të thuhet me siguri nëse të gjithë janë treguar kaq pisanjosë. Qese ambalazhi, shishe plastike, letra dhe gjithçka tjetër ishte hedhur përtokë në mënyrën më paedukatë të mundshme. Ja pra, mund të jesh milioner, por jo edhe aq njeri.
Sfidanti.al