Nuk mund të jetë kaq i madh mallkimi ndaj skuadrave milaneze. Edhe përpara, edhe tani që aksionet i kanë kinezët, përfundimet janë po njësoj, thuajse humbje, barazime apo fitore të rralla, me Europën që largohet gjithnjë e më shumë. Pas rrëzimit të Interit në Firence, ja ku erdhi një tjetër edhe më i rëndë, ai i Milanit në “San Siro” ndaj Empolit. Skuadra modeste (Frederik Veseli në stol) fitoi 2-1 në stadiumin e famshëm falë golave të shënuar nga Mkelidze në pjesën e parë dhe Tiam pas pushimit. Për Milanin nuk vlejti rrjeta e Lapadulës, edhe pse pati kohë që nga minuta e 72-të deri në fund.
Tifozët janë bërë me zemër dhe duhet të vishen me të zeza, por trajneri Montela nuk duket 100 për qind i dëshpëruar. “Më vjen keq për rezultatin, është e vetmja gjë që më zhgënjeu, – tha ai pas ndeshjes, – skuadra luajti shumë mirë dhe krijoi 15 raste për të shënuar. Na mungon përvoja dhe aftësia për ta dërguar topin në rrjetë”. Montela beson se kjo humbje nuk do të ndikojë në renditjen përfundimtare, edhe pse realiteti duket ndryshe. Liga e Europës në Serinë A, merr ekipet e vendeve të 4-ët dhe 5-të, që janë Lacio dhe Atalanta. Milani është 5 pikë prapa bergamaskëve kur duhen edhe 5 javë deri në përfundim të sezonit.
Rezultatet: Sasuolo-Napoli 2-2, Kievo-Torino 1-3, Lacio-Palermo 6-2, Milan-Empoli 1-2, Sampdoria-Krotone 1-2, Udineze-Kaljari 2-1, në 20:45, Juventus-Xhenoa.
Renditja: Juventus 80 (-1), Roma 72 (-1), Napoli 71, Lacio 64, Atalanta 63, Milan 58, Inter 55, Fiorentina 55.
Sfidanti.al