Milani në finale, Strakosha thyhet vetëm pas 14 penalltive

U deshën 210 minuta, plus edhe disa të tjera për gjuajtjen e 14 penalltive, që të përcaktohej finalistja e dytë e Kupës së Italisë. Ishte Milani që doli triumfues në “Olimpiko” të Romës përballë Lacios, në një duel gjysmëfinal që nuk “prodhoi” dot asnjë gol në 3 orë e gjysmë lojë, dhe që u vendos nga 11-metërshat.

Portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, sërish u tregua hero, duke bërë dy pritje, por shokët e tij bënë më shumë gabime, dhe finalja do të jetë një klasike Milan-Juventus.

Ndeshja në kryeqytet ishte e fortë, me raste të të dyja skuadrave, dhe me të dy portierët, Strakosha e Donaruma, që bënë pritje të rëndësishme, por edhe gabime. Pjesa e parë ishte më e mirë për vendasit, ndërsa me kalimin e minutave pas pushimit ishte Milani që pati më shumë autoritet. Gjithsesi, nuk u shënua dot asnjë gol, edhe pse Kaliniç pati rastin më të pastër të ndeshjes, por gjuajti mbi portë, i vetëm përballë Strakoshës.

Tek penalltitë, Lacio e nisi më mirë duke shënuar me gjuajtjen e parë me Imobilen. Pastaj Strakosha priti goditjen e Rodrigezit. Për fat të keq, Milinkoviç-Saviç gjithashtu gaboi, por Strakosha bëri mrekullinë  e dytë, duke ndaluar Montolivon. Deri në fund, lacialët do të humbisnin edhe dy penallti, ndërsa milanistët asnjë, me golin vendimtar shënuar nga më i miri lojtar në fushë, Bonaventura.

Sfidanti.al