Milani, kthim në Champions në “majë të gishtave”, Pioli do fitoren me Totenhemin!

Për herë të fundit ka ndodhur 16 vjet më parë. Milani u shpall kampion i Europës në 2007 me Ançelotin në stol dhe me yjet Pirlo, Maldini, Nesta, Inzagi, ndërsa sot as tifozët më të çmendur nuk guxojnë përsëritjen e këtij kulmi. Gjithsesi, një ekip 7 herë kampion i Europës nuk mund të mos mendojë për fitoren e trofeut, ndonëse kuqezinjtë e sotëm të trajnerit Stefano Pioli kanë për detyrë të synojnë suksesin ndaj Totenhemit sonte në 21:00 në “San Siro” në sfidën e parë të raundit të dytë.

Me anglezët fati nuk ka qenë aspak i mirë këta vjet, edhe pse Spërsat nuk kanë asnjë trofe të Ligës së Kampionëve në kabinetin e tyre. Mungesat mbeten, me portierin titullar Menja që mund të kthehet ndoshta vetëm për ndeshjen e dytë. Po ashtu, Ibrahimoviç mund të jetë në stol, ndërsa trajneri Pioli informoi se Benaser nuk mund të luajë për shkak dëmtimi. Lajmi i mirë është kthimi në kohë i mbrojtësit Tomori. Po ashtu, edhe fitorja ndaj Torinos në Serinë A pas një muaji tepër të vështirë me disfata e zhgënjime. Pioli bën analizën e ndeshjes.

“Nëse duam që të fitojmë ndeshjen, diçka që ne pretendojmë që ta bëjmë, na duhet një Milan i nivelit më të lartë. Po flas për ritmin dhe cilësinë e lojës. Jemi përgatitur pikërisht për këtë gjë. Fakti që Totenhemin e drejton Konte na e vështirëson punën, pasi ai i përgatit shumë të mirë ndeshjet. Konte është një nga të paktët trajnerë që më telefonoi për të më uruar për fitoren e titullit”. Trajneri është i shqetësuar edhe për diferencën e madhe financiare, duke përmendur se Premier Liga shpresoi 900 milionë euro në janar, dhe Seria A thuajse asgjë. Jo më kot Totenhemi jepet favorit për kualifikimin, por për ndeshjen e sotme për fitoren favorizohet Milani.

Sfidanti.al