Për shumë muaj tifozët e quajtën një shpëtim. Armando Sadiku ishte lojtari më i dalluar i Kartagjenës, madje mbetet i tillë edhe sot e kësaj dite, ndonëse po kalon probleme. Sulmuesi 31-vjeçar, që ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare deri në 2020 dhe që synon të kthehet përsëri, është lënë në stol nga trajneri Luis Karrion, pavarësisht se ka shënuar 7 gola dhe është sërish shënuesi më i mirë i skuadrës. Siç informojnë mediat spanjolle, Sadiku pati një muaj janar të turbullt, kur pati mundësi të largohej nga Kartagjena, diçka që nuk ndodhi. Me gjasë, dëshira e tij për të ikur nuk i pëlqeu trajnerit, ndërsa shqiptari shpreson që ky problem të kalojë sa më shpejt. Sulmuesi kuqezi u bashkua me ekipin spanjoll këtë sezon dhe menjëherë ishte një sukses. Sadiku u përshtat me Kartagenjën dhe shënoi 7 gola në 17 ndeshjet e para që luajti, edhe pse në 4 të parat ishte në fushë vetëm për 55 minuta. Kjo periudhë në stol vjen në momentin më delikat për 31-vjeçarin, pasi ai dëshiron të kthehet në ekipin kombëtar, ndërsa trajneri Silvinjo kërkon alternativa tani që Broja dhe Manaj janë me probleme.
Sfidanti.al