Me statistikat në krah, Totenhem zbret në transfertën kundër Milanit për aktin e parë në 1/8 e Ligës së Kampioneve. Por nëse e shkuara flet për londinezët, vigjilja e kësaj sfide nuk rezervon një atmosferë nga më të mirat për ta. Humbja e thellë kundër Leister në ndeshjen e fundit të Premier Ligës i dha fund serisë pozitive, ndërsa edhe dëmtimet e shumta ia vështirësojnë punën Antoni Kontes. Gjithsesi, tekniku italian kthehet në “San Siro”, ku ka jetuar momente triumfi në fushë dhe në pankinë.
“Kthimi këtu më jep emocione të mëdha. Përballemi me kampionët e Italisë dhe unë e di shumë mirë se sa e vështirë është të fitosh kundër skuadrave të mëdha. Pres një ndeshje të fortë dhe të bukur, por në sfida të tilla nuk ka favoritë. Në kampionat është më e thjeshtë, kurse në turne të tillë duhet të jesh në formën më të mirë në momentin e duhur. Gjithsesi, ne jemi këtu për të fituar, pasi duam të vazhojmë rrugën tonë në Champions”.
Antonio Konte nuk ka një marrëdhënie të mirë me Kupat e Europës, ndërsa kundër Milanit i duhet të improvizojë në mesin e fushës, ku mungojnë lojtarë të rëndësishëm si Betenkur, Bisuma dhe Sesenjo. Po ashtu, tjetër mungesë e madhe është ajo e kapitenit Hugo Loris në portë.
Sfidanti.al