Milani gabon në garën për titull, por fitoren ndoshta ia hoqi VAR-i!

Paolo Maldini dhe Stefano Pioli ishin të dy në një mendje dhe në një gojë. “Gabimi ishte i dukshëm, Milanin nuk duhet ta drejtojnë arbitra debutues, u ndëshkuam pa të drejtë edhe një herë”. Ky ishte përfundimi me komente pas barazimit 1-1 në “San Siro” ndaj Udinezes për Serinë A. Leao shënoi në 29’ dhe Udogie barazoi në 66’, por ishte pikërisht goli i miqve që duhej të ishte anuluar sepse u duk qartë se u realizua me dorë. Arbitri u këshillua me VAR-in, nuk është se nuk bëri detyrën, por përfundimisht vendosi ta quante golin të rregullt.

Gjithsesi, kuqezinjtë kanë edhe fajet e veta sepse pjesa e dytë u cilësua “nën ton”. Udineze doli sërish një rival i vështirë, dhe Milani nuk ia doli nën sytë e ish-pronarit dhe ish-presidentit Silvio Berluskoni. “La Gazeta delo Sport” shkruan se milanistët nuk kanë qenë me fat me vendimet e VAR-it këtë sezon, por nuk harroi të theksonte se “në gjysmën e pjesës së dytë, Milani luajti në mënyrë katastrofale, duke qenë ndjeshëm poshtë Udinezes”. Milani ka 57 pikë duke mos mundur të realizojë shkëputje, ndaj edhe rruga drejt titullit bëhet më e vështirë.

Sfidanti.al