Nuk ka asgjë për t’u habitur në shifrat e publikuara për kontratën e kapitenit me Barcelonën! E vetmja gjë që mund të thuhet është vetëm se shifrat e botuara janë edhe më të mëdha sesa ato që diskutoheshin që më parë, pra në 135 milionë euro në sezon nga 100 milionë që jepeshin në media. Lionel Mesi ka kërcënuar (gjithnjë sipas mediave) me proces gjyqësor ndaj atij që ka “vjedhur” dokumentacionin e kontratës së tij, por opinioni publik kudo në Spanjë e më gjerë bën pyetjen: Si ka mundësi që një lojtar që thuhet se e konsideron Barcelonën si shtëpinë e tij mund të pranojë një rrogë të tillë në një moment të tillë? Klubi i “Kamp Nout” cilësohet se është në borxhe prej mbi 1 miliardë eurosh dhe mund të rrezikojë falimentimin, dhe botimi i pagës së kapitenit padyshim ka shkaktuar një shpërthim polemikash. Sipas “El Mundos”, me 555 milionë euro të fituara në 4 vjet, Mesi padyshim që ka ndikuar direkt në krizën e thellë financiare të klubit. Vetëm për rinovimin, numrit 10 iu dhanë 115 milionë euro (!!!). Barcelona dënoi publikimin e kontratës, ndërsa dyshohet se njerëz të brendshëm e kanë nxjerrë atë, pse jo nga ata që janë pranë ish-presidentit Bartomeu, ndonëse këto mbeten vetëm spekullime.
Sfidanti.al