Chelsea ‘fut hundët’ në blerjen e Alabas dhe Haaland

David Alaba dhe Erling Haaland, janë emra që janë lidhur me atë të Realit të Madridit kohët e fundit duke bërë që tifozët e Los Blancos të ëndërrojnë për ta. Por kjo ëndërr mund t’u kthehet në makth teksa ndërhyn me prepotencë në këtë cështje skuadra e Chelseat. Sipas Sky Sports, klubi londinez kërkon më shumë përforcime pas shpenzimeve të mëdha të kryera verën e kaluar dhe tani ka vënë në shënjestër, 2 objektivat e Realit të Madridit, pikërisht Alaba dhe Haaland

Chelsea rezulton se ka në favorin e tij anën financiare, me Blutë që e kanë vuajtur më pak krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia coronavirus. David Alaba do të jetë objekti i betejës së parë mes 2 klubeve në merkaton e transferimeve ku në këtë luftë do të jenë edhe PSG, Liverpool dhe Manchester United. Austriaku vendosi të refuzojë të gjitha ofertat e rinovimit të Bayernit dhe pas një dekade ai do të veshë një fanelë që nuk ka ngjyrat e klubit bavarez. Reali I Madridit është në pozitë të mirë për blerjen e Alabas, por Chelsea i Thomas Tuchel nuk e lë të qetë, pasi  trajneri gjerman e admiron lojën e mbrojtësit dhe do ta donte ta kishte nën urdhrat e tij. Por sipas AS në ankandin për Alabën ka hyrë edhe Manchester City. Citizens kanë bërë ofertën më të mirë ekonomike për Alaban, por ky i fundit do të preferonte atë të Realit të Madridit, 11 milionë Euro dhe kontratë 4 vjecare. Për momentin austriaku nuk prononcohet dhe vetëm në fund të sezonit do të mësojmë për vendimin e tij.

Përsa i përket Haaland, lufta është akoma më e fortë, pasi të gjitha të mëdhatë e kontinentit e duan shërbimin e talentit norvegjez. Reali i Madridit është i interesuar, por situata ekonomike në klub ndikon jo pak, ndërkohë që prioritet i Los Blancos është Mbappe. Megjithatë Reali nuk ia heq sytë dhe do që ta marrë në 2022 kur situata ekonomike mendohet se do të jetë më e mirë. Por Chelsea nga ana e tij nuk ka ndërmend të presë dhe mund t’u paraprijë madrilenëve. Sipas medias gjermane, Chelsea ka financa mjaftueshëm për të bërë një ofertë mbi 66 milionë Euro që është edhe klauzola e futbollistit me Dortmundin.

Sfidanti.al