Mesi shënon më në fund në “Stemford Brixh”, Barça kalon provën

U desh ndeshja e pestë në “Stemford Brixh” që Lionel Mesi më në fund të shënonte gol. Superylli argjentinas ia doli dhe ndihmoi Barcelonën në një barazim tepër të rëndësishëm ndaj Çelsit, rezultat që i jep shumë dorë për të shkuar në çerekfinale.

Në një përballje tepër të vështirë taktike, gjithçka ishte e qartë që në fillim, me vendasit të vendosur për t’u mbrojtur dhe për të kundërsulmuar, dhe me Barcelonën që nuk kishte rrugë tjetër përveçse të zotëronte lojën me qarkullimin e topit, por pa pasur asnjë hapësirë për të rrezikuar. Jo më kot, tre-katër rastet e pjesës së parë i pati Çelsi, që goditi dy herë shtyllën me anë të Uillianit, dhe rrezikoi me anë të Hazarit. Barça pati topin 79 për qind, por ishte një zotërim “shterpë”.

Pak më ndryshe pjesa e dytë, me Blutë e Kontes më të trembur dhe me katalanasit më të shkathët, por pikërisht në momentin më të mirë të miqve (rast i Suarezit) erdhi goli i londinezëve. Uillian, më në fund, e theu tersin e shtyllave dhe shënoi shumë bukur. Gjithsesi, nuk kishte përfunduar dhe pas pretendimit të Suarezit për penallti, erdhi një gabim i mbrojtjes angleze, me Iniestën që asistoi Mesin në golin e barazimit. Janë 98 gola në Champions për numrin 10, që do të ketë rast të kërkojë sërish rrjeta në “Kamp Nou” kur të luhet ndeshja e dytë në 14 mars.

Nuk pati histori, ndërkaq, në “Alianc Arena” të Mynihut ku Bajerni shkatërroi 5-0 Beshiktashin turk. Gjithsesi, më parë stambollinjtë mbetën me 10 lojtarë pasi mbrojtësi kroat, Domagoj Vida, doli me të kuqe i detyruar të bënte faull si lojtar i fundit ndaj Levandovskit. Bavarezët më pas morën lojën në dorë dhe shënuan radhazi me anë të Tomas Mylerit në pjesën e parë, dhe me Kingsli Komanin, sërish Tomas Mylerin, dhe dy herë Robert Levandovskin pas pushimit.

Sfidanti.al