Topi i Artë dhe Këpuca e Artë janë dorëzuar, po ashtu si çmimet e tjerë, veçse këta të gjithë kishin të bënin me sezonin 2016-2017. Një tjetër garë është në etapën e saj të fundit, ajo për renditjen e golshënuesit të vitit kalendarik 2017, dhe për të fituar atë janë në luftë emrat më të mëdhenj të Europës. Kjo e këtij viti duket një garë e pashoqe, pasi nuk besohet që pretendentët të kenë qenë ndonjëherë kaq pranë.
Lionel Mesi ka shënuar 53 gola këtë vit, shumicën dërrmuese për Barcelonën, dhe për fat të keq ka goditur edhe shumë shtylla. Në të njëjtin nivel është rivali i tij më i madh, fituesi i Topit të Artë dhe Lojtari më i mirë i vitit sipas FIFA-s, Kristiano Ronaldo. Ylli i Realit ka shënuar po 53 gola, edhe ai pjesën më të madhe me klubin, por jo pak me kombëtaren e tij të Portugalisë.
Edhe më e jashtëzakonshme bëhet gara kur mëson se po 53 gola ka Robert Levandovski, i shkëlqyer me Bajernin dhe Poloninë. Minusi i vetëm i Levës është që ai nuk ka më ndeshje në dispozicion, pasi Bundesliga e ka filluar tashmë pushimin dimëror, ndërsa La Liga ka edhe një javë, atë që do të vendosë përballë Ronaldon e Mesin në “Bernabeu”. “El Klasiko” Real-Barça në Madrid favorizon pa dyshim portugezin që është vendas.
Me 52 gola, shumë pranë treshes së podiumit të momentit është Edinson Kavani. Pavarësisht nga mbërritja e Nejmarit dhe Mbapesë, uruguajani ka vazhduar të punojë “me normë” të lartë tek Paris SG. Kavani ka po ashtu një ndeshje në dispozicion për të dalë i pari.
Gjithsesi, konkurrenca ka edhe një sulmues tjetër që po pret disi “në hije”. Ky është Harri Kejn, ylli i Totenhemit dhe i Anglisë, nderi i futbollit anglez për 2017-ën. Kejn ka shënuar 50 gola këtë vit, pra është 3 gola prapa Mesin, Ronaldos e Nejmarit, veçse, Premier Liga angleze i bën një favor, pasi i jep në dispozicion dy ndeshje për të përmbysur renditjen.
Mbetet të shihet nëse do të ketë mundësi Kejn të shënojë 4 gola në dy ndeshjet e mbetura deri në fund të vitit.
Sfidanti.al