Mejuedhër e ka mbyllur me boksin, por duket ende jo me sportin!

Flojd Mejuedhër i Riu është betuar mbi “bibël e kuran” se nuk ka ndërmend të kthehet më në boks. Amerikani 40-vjeçar, edhe pse e shkeli betimin e parë dhe u ndesh me Mekgregorin, besohet se do të dijë ta mbajë fjalën këtë herë, por vetëm përsa i përket boksit. Mediat botërore njoftojnë se Mejuedhër është prekur në pikën e tij të dobët, paratë, dhe duket se po i bën “gizili” një rikthim i mundshëm në sport.

Në çfarë sporti bëhet fjalë? Këtë herë flitet për artet e përziera marciale (MMA) dhe saktësisht në kampionatin botëror UFC të kësaj kategorie, aty ku bën pjesë edhe Mekgregor. Lajmin e jep komentatori i UFC-së, Xho Rogan, mik i presidentit Dejni Uajt, që thotë se Mejuedhër mund të marrë një ofertë prej 1 miliardë dollarësh për të zhvilluar disa ndeshje brenda kafazit tetëkëndësh (oktagon). “Dejni më tha se Flojd dëshiron të ketë një kontratë me UFC-në”, – u shpreh Rogan.

Ky i fundit e paralajmëron amerikanin në distancë se “do të vritesh”, por pohon se “sërish ai dëshiron ta provojë këtë eksperiencë”. Mejuedhër ka bilancin 50 fitore, 0 humbje, 0 barazime në boks, dhe e mundi Konor Mekgregorin, por këtë e bëri në një ndeshje në ringun e boksit, ndërsa në kafaz mund të jetë ndryshe, aq më tepër që ish-kampioni i peshave të mesme në boks sot është 40 vjeç.

Sfidanti.al