Nuk mund të rrijë për shumë kohë larg Milanit, ashtu si njeriu nuk rri dot larg dashurisë. Silvio Berluskonin nuk e ndalon dot njeri të flasë për klubin që e bëri sërish të madh që nga gjysma e dytë e viteve 80-të, ndërsa ka kritika edhe për trajnerin Gatuzo, por edhe për aksionerët dhe drejtuesit.
“I dashur Gatuzo duhet të ndryshosh modulin, – është këshilla e ish-presidentit dhe ish-pronarit, – me një sulmues të vetëm nuk shkohet askund. Një sulmues nuk ka ç’bën përballë shumë mbrojtësve kundërshtarë. Zgjidhja? Dy sulmues dhe një “treçerekësh” prapa tyre, kështu ka luajtur gjithnjë Milani”.
Po për aksionerët dhe drejtuesit çfarë thotë “Don Silvio”? “Milani nuk ka skuadër të nivelit të lartë, për fat të keq, – shprehet ai, – të vetmit yje në ekip janë Suso, Bonaventura (që nuk është larg Kakasë) dhe Donaruma. Të tjerët janë lojtarë të zakonshëm”. Në fund, Berluskoni ka vetëm fjalë të mira për Gatuzon. “Rinos i bëj një urim të madh që të ketë fat dhe sukses, kjo edhe pse mendoj se modulin e ka gabim”, – përfundon ish-presidenti.
Sfidanti.al