I mungonte diçka e tillë, dhe për dreq ishte tepër e madhe. Një titull si i pari i gjithë rruzullit ishte ajo që Lionel Mesi nuk e kishte arritur dot në karrierën e tij qiellore. Më në fund, ai vetë dhe e gjithë skuadra e Argjentinës ia dolën, u shpallën kampionë të botës në finalen më të çmendur të kampionateve në histori. Nuk mjafuan 90 minuta, as 120, por u deshën penalltitë. Nuk bëri dot punë as epërsia 2-0 dhe as 3-2, pasi përballë Mesit dhe Argjentinës ishte Franca, skuadra më e fortë e botës.
Kampiona e vitit 2018, dhe nënkampiona e 2022-it kishte klasin më të madh, gjë që ndoshta mund ta ketë edhe Anglia, por asnjë ekip tjetër. Megjithatë fitues doli Mesi, jo Mbapeja, edhe pse francezi shënoi 3 gola dhe fitoi Këpucën e Artë. Kupën e FIFA-s dhe Topin e Artë i mori magjistari i futbollit, njeriu që u barazua me Maradonën në “Olimp”, dhe që tani mund të pretendojë të jetë po aq i madh sa Diego. Për argjentinasit, “El Pibe de Oro” do të jetë gjithmonë një Perëndi, i paprekshëm dhe i pakrahasueshëm, por gjithsesi Mesi do të jetë pranë tij si Krishti me Zotin, sipas shkrimeve të të krishterëve. Argjentina është 3 herë kampione e botës, duke lënë Francën me dy, ndërsa Mesi e mori kupën e tij, me të cilën padyshim që do të flejë gjumë në shtrat për disa net (Antonela do ta mirëkuptojë). Tashmë, mund të ndahet i qetë me kombëtaren e vendit të tij.
Sfidanti.al