Mesi mbetet numri 1 dhe Barcelona mbetet e pamposhtur!

Fitorja 7-1 e Realit nuk mbeti pa përgjigje. Barcelona tregoi pak orë më vonë se kush është zot në La Liga, duke ruajtur të paprekur kolonën e humbjeve dhe duke shtuar edhe me një tjetër, kolonën e fitoreve. Pesë gola u shënuan në fushën e Betisit (pa u pësuar asnjë), vetëm një javë pasi u shënuan 4 në stadiumin e Sociedadit, dhe me këtë ritëm çështja titull praktikisht është e mbyllur.

Lionel Mesi tregoi edhe në “Vijamarin” se është dhe mbetet numri 1 i futbollit botëror. Dy gola nga argjentinasi, plus një asist, ndërsa ai po luan përsëri në nivelet e tij më të larta. Ai ka 19 gola në 20 ndeshje të luajtura në kampionat, 25 në 30 takime në sezon, ndërsa vazhdon të thellojë rekordet që ia mori Gerd Mylerit, me 368 gola gjithsej në La Liga dhe 532 rrjeta në total për Barcelonën.

Gjithsesi, paraqitja e Mesit nuk mund të tregohet edhe gjitha nëpërmjet statistikave. Mënyra sesi ai organizon lojën e ekipit të tij, sesi driblon (12 herë ndaj Betisit, numri më i madh në 3 vite), sesi pason dhe sesi lëviz pa top, e bën që të jetë i pakrahasueshëm dhe i pambulueshëm. Mesi pret gjithnjë rastin e tij, dhe pas një pjese të parë “në heshtje”, shpërtheu pas pushimit.

Barcelona është ndërkaq ekipi i vetëm në Europë, ndër ligat e rëndësishme, që nuk ka pësuar ende asnjë humbje, ndërsa këtë e kanë bërë Bajerni, Mançester Siti, Napoli apo Paris SG. Me 57 rrjeta në 20 takime, mesatarja është gati 3 për ndeshje, ndërsa falë taktikës së trajnerit Valverde, rrjeta e Ter Shtegenit është tundur vetëm 9 herë.

Sfidanti.al