Kjo finale është njëkohësisht një mallkim dhe një shpresë. Në 2020, Paris SG pati dështimin që u ndje shumë, atë në finalen e Championsit ndaj Bajernit. Gjithsesi, përtej dhimbjes në mes të epokës së koronavirusit, francezët kuptuan se mund të ishin kaq pranë trofeut të madh. Ëndrra mbetet e parealizuar, por skuadra e trajnerit Kristof Galtie është përgatitur fort këto ditë që të mos ketë zhgënjim tjetër, ndonëse rivali është sërish tepër i vështirë, pikërisht Bajerni. Historitë e vjetra ndoshta duhet të lihen prapa, edhe pse bavarezët e sotëm të trajnerit Nagelsman kanë mjaft ndryshim nga ata të Hansi Flikut, ndërsa lajmi i madh për tifozët dhe klubin është kthimi në stërvitje i dy yjeve kryesorë, Lionel Mesi dhe Kilian Mbape.
Galtie informon se Mesi mund të jetë titullar, ashtu si edhe Verrati, por Mbape mund të llogaritet ndoshta vetëm si zëvendësues. Për fat të keq, PSG ka pasur më shumë probleme sesa dëmtimet, siç ndodhi pas humbjes në kampionat ndaj Monakos, kur pati përplasje të Nejmarit e kapitenit Markinjos me drejtorin sportiv, Lukas Kampos. Nejmar nuk i fshehu aspak këto probleme në konferencën e shtypit.
“Ndodhi diçka. Në të vërtetë, ishte një debat i vogël, ne nuk ishim dakord me njëri-tjetrin. Kjo është pjesë e futbollit, janë gjëra që ndodhin çdo ditë. Megjithatë, ne e pëlqejmë këtë sport kështu siç është. Është si raporti me të dashurën, jo gjithmonë është mjaltë. Ka edhe mosmarrëveshje. Nuk më vjen mirë që këto gjëra dalin në media, duhet të jenë brenda skuadrës”. Mbetet të shihet nëse parizienët do të arrijnë të lenë pas polemikat dhe problemet fizike për të kaluar një rival kaq të madh si Bajerni.
Sfidanti.al