Merr fund “mbretërimi” 3-vjeçar, Reali jashtë Championsit!

Pa trajnerin Zinedin Zidan, pa superyllin Kristiano Ronaldo dhe pa kapitenin Sergio Ramos në ndeshjen vendimtare, nuk mundi të përballonte vazhdimin në këtë nivel kaq të lartë. Reali nuk do ta mbrojë titullin kampion të Europës, pasi e fitoi tri herë radhazi në vitet 2016-2018. Nuk u eleminua nga ndonjë superfuqi e sotme, si Juventusi, Barcelona, Liverpuli, Paris SG apo Mançester Siti, por nga një lavdi e vjetër dhe që nuk mendohej se mund t’ia dilte, nga Ajaksi.

Në “Bernabeu” dalja e Madridit jashtë Championsit ishte e denjë për një ndryshim epokal, ajo erdhi pas një katastrofe të vërtetë, humbjes 1-4 ndaj skuadrës së talentuar, por pa përvojë holandeze, që vetëm pak javë më parë ishte mundur 2-6 në fushën e Fejënordit në kampionatin e vet.

Hakim Zijah dhe David Neres i dhanë epërsinë e hershme 2-0 Ajaksit që në minutën e 18-të, ndërsa Reali kurrë më parë në Champions nuk kishte pësuar kaq shpejt dy gola. Dushan Tadiç shënoi një gol të madh, veçse pas polemikave në minutën e 62-të, ndërsa trajneri Solari kishte mbetur pa Vinisiusin dhe Lukas Vaskezin të dëmtuar.

Asensio u duk se dha shpresë me golin e minutës së 70-të, ndonëse Realit i duheshin tre rrjeta gjithsej. Fund i iluzioneve ishte goli i madh i Lase Shones shumë shpejt, në minutën e 72-të. Ajaksi merr hakun ndaj madrilenëve pas shumë zhgënjimeve radhazi, e kalon në çerekfinale, duke kapërcyer edhe humbjen 1-2 të ndeshjes së parë në Amsterdam.

Tifozët në stadium lëshuan edhe thirrje “Florentino dorëhiqu”, ndërsa gazeta “Marka” bëri pyetjen e shqetësuar: Çdo të ndodhë deri në fund të sezonit?

Në çerekfinale, edhe Totenhemi që e shfrytëzoi më së miri përvojën më të madhe sesa Dortmundi. Fitorja 3-0 në Londër i dha qetësi dhe Harri Kejn shënoi golin e vetëm të ndeshjes në “Signal Iduna Park”, në minutën e 49-të.

Sfidanti.al