“Mëkati i vetëkënaqësisë” dhe Shqipëria e vogël e futbollit!

Dikur në Itali ka qenë një ekip që jepte spektakël. Quhej Foxhia (Foggia) dhe trajneri i saj në fillim të viteve 90-të e kishte emrin Zdenek Zeman. Kaluan fare pak sezone dhe skuadra spektakolare që nuk dinte të humbiste 0-1, por 3-8, ra nga kategoria dhe Zemani vazhdoi aventura të tjera. Sot, askush nuk kujtohet për fenomenin Foxhia që do t’i bënte nder çdo kampionati në botë, në çdo epokë.

Një vite pas Europianit të Francës, ne thuajse kemi harruar se kjo kombëtare ishte në finalet e mëdha, ku shkruajti historinë. Natyrisht, në Euro 2016 na dërgoi më shumë formula, por vendin e dytë në grup Shqipëria e zuri vetë, dhe po ashtu paraqitjet e nivelit tepër të lartë me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë nuk na i dhuruan. Të gjithë jemi dëshmitarë se u luajtën nga lojtarët tanë, që u drejtuan nga Xhani De Biazi.

Pyetja gjithnjë mbetet nëse ajo që ka ndodhur, shërben dot apo jo si justifikim për atë që po ngjan tani? Ansi Agolli, tha një fjalë shumë të mençur në një intervistë për mediat shqiptare (Panorama Sport). “Vetëkënaqësia nuk është mëkat, mos harroni se çfarë bëmë një vit më parë”! Vetëm një fjalë do t’i ndreq Ansit, që vetëkënaqësia është një lloj mëkati, por përderisa jemi njerëz, nuk mund të jemi të përsosur.

Të kërkosh që Shqipëria të vazhdojë të shkëlqejë, do të thotë t’i kërkosh një të vogli që të jetë gjithnjë i madh, apo një njeriu të pamësuar me pijen, që të kthejë çdo ditë nga disa dopio me raki.

Natyrisht, secili nga ata që u bënë vjet të pavdekshëm bëri mëkatet e tij. De Biazi e teproi me lojën “iki, nuk iki”, presidenti Duka e teproi me distancimin e tij nga trajneri dhe me faktin që nuk i doli në krah vendomërisht kur ndonjë nga lojtarët deshi të bënte ligjin në ekip. Së fundi, lojtarët e tepruan me mëkatin e vetëkënaqësisë, ashtu si edhe fati e teproi kur nuk ishte gjithmonë me ne, ashtu si edhe arbitri.

De Biazi, është e qartë se nuk do të vazhdojë gjatë (vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli), por kombëtarja e Shqipërisë do të ketë shanse edhe pa të (siç thotë Farruk Sejdini, “të rrojë teqeja, po hoxhallarë ka sa të duash”). Ajo që ndryshon ngadalë, madje tepër ngadalë është historia. Shqipëria e futbollit, ashtu si Foxhia e 1992-it mbetet një ekip i vogël, dhe mrekullitë si ato të Euro 2016-ës ndodhin tepër rrallë.

Sfidanti.al