Mediat spanjolle nuk kanë dyshim: Uzuni, lojtar për në La Ligë!

I kanë vënë etiketën që meriton. Myrto Uzuni po bind gjithnjë e më shumë në Spanjë dhe rrjeta më e fundit bëri sërish bujë. Pasi sulmuesi kuqezi realizoi për Granadën në fushën e Vijarrealit B, e përditshmja “AS” e cilësou si një futbollist në nivelit të La Ligës, duke theksuar se më në fund shënoi jashtë fushe dhe një gol të shkëlqyer. Komentet janë që Uzuni dhe futbollisti tjetër, Vajsman, pushtuan stadiumin “La Seramika”, ndërsa ishte fitorja e parë jashtë fushe për Granadën. Edhe “El Mundo Deportivo” thekson formën e madhe të Uzunit, golin e bukur jashtë fushe dhe faktin se Granada është në vend të katërt.

Mediat në Granadë gjithashtu patën vlerësim të lartë për fitoren, duke veçuar disa nga lojtarët si Raul Fernandezin, Kajehonin, Uzunin apo Vajsmanin. Sulmuesi 27-vjeçar është shënuesi më i mirë i Ligës së Dytë në Spanjë me 15 gola. Edhe komentet e gazetave të tjera sportive ishin që Vajsmani dhe Uzuni i japin mundësinë Granadës të synojë ngjitjen direkte në elitë! Falë kontributit të madh të Uzunit, por edhe të futbollistëve të tjerë, ekipi i tyre është në vend të katërt dhe i ka që të gjitha mundësitë të pretendojë kalimin në La Ligë, ndonëse vetë beratasi nuk pritet ta ketë problem që të gjejë një ekip në nivelin më të lartë të futbollit spanjoll. Pasi kaloi me sukses provat në Shqipëri, pastaj në Kroaci dhe Hungari, shqiptari po ia del edhe në një vend të madh europian.

Sfidanti.al