Mediat katalanase për Barçën: Karnaval blaugrana dhe festa vazhdon!

Nuk ishte plotësisht i kënaqur, edhe pse epërsia mbetet e madhe. Një trajner si Ksavi Hernandez e ka për mburrje që i përket filozofisë së Barcelonës, asaj të futbollit total me “tiki-taka”, ndaj edhe fitorja 2-0 ndaj Kadisit nuk i hyri plotësisht në sy. Suksesi do të thotë se katalanasit rivendosën epërsinë prej 8 pikësh me Realin e Madridit që i ndjek në vend të dytë, dhe që mund të mendojnë me më shumë qetësi për sfidën masive në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit në Ligën e Europës. Golat u shënuan që në pjesën e parë nga Sergi Roberto dhe Robert Levandovski, ndërsa pas pushimit ekipi i Ksavit sikur vendosi këmbën në frena për të kursye energji për në Angli.

“Jam i kënaqur, sidomos me pjesën e parë, që nuk ishte e shkëlqyer, por ishte shumë e mirë. Shumë nga lojtarët kanë pasur ngarkesë të madhe këto kohë dhe jam mjaft i kënaqur prej tyre. Ata që të gjithë kanë besimin tim. Minutat e fundit, sidoqoftë nuk më pëlqyen. Ne lëshuam shumë terren”. Mbrojtësi uruguajan, Ronald Arauho, deklaron se Ksavi ka kthyer mentalitetin e dikurshëm, atë që Barcelona e kishte humbur vitet e fundit, ndërsa mediat në Katalonjë u treguan entuziaste.

“Karnavali blaugrana, – vlerëson “El Mundo Deportivo”, Barça likujdoi Kadisin në 3 minuta, mban komandën në La Ligë me +8 pikë!” “Festa vazhdon, – është kremtimi i të përditshmes tjetër katalanase, “Sport”, – Barça zgjat serinë e saj me një triumf të këndëshm që e mban kryesuese me distancë!” Ekipi i Ksavit kryeson La Ligën me 59 pikë në 22 javë, ndaj 51 të Realit.

Sfidanti.al