Kjo muzikë dëgjohet prej një dekade. Bajerni i Mynihut ka vendosur një sundim absolut në Bundesligën gjermane me titujt që rreshtohen njëri pas tjetrit. Gjithsesi, ky dominim i padëgjuar kurrë më parë, nisur që në 2013 me trajnerin Jup Hajnkes, duket se po i afrohet fundit. Pas humbjes 2-3 në fushën e Gladbahut, bavarezët i kanë rrezikuar së tepërmi pozitat e tyre në kampionat. Rivalët kryesorë si Dortmundi, Lajpcigu, por pse jo edhe Unioni i Berlinit dhe Frajburgu, kanë mundësi t’i kalojnë gjigandët nga Mynihu. Që përpara sfidës, mediat bavareze shkruanin se Bajerni ia kishte frikën Gladbahut më shumë sesa një ekipi me 11 Kilian Mbape në formacion.
Ja edhe prova, pasi u luajt ndeshja e pestë radhazi pa fitore. Dyshime të shumta po ngrihen për trajnerin Julian Nagelsman, dhe kjo në mënyrë paradoksale, vetëm pak ditë pas fitores së madhe në Champions në fushën e Paris SG. “A është ky fillimi i fundit për Nagelsmanin tek Bajerni”, është pyetja në titull e tabloidit “Bild”, ndërsa e përditshmja bulevardeske beson se nëse bavarezët do ta largojnë trajnerin, ata mund të marrin teknikun e Këlnit, Baumgart.
Vetë trajneri pranon gabimin e tij për zëvendësimin e Tomas Mylerit, ndonëse vlerësoi ekipin. “Ishte një vendim që nuk doli aspak i mirë. Më vjen keq për Tomasin, por kishim nevojë për ritëm dhe kishim nevojë për lojtarë shtatlartë në zonën kundërshtare. Ndihem shumë keq, sepse nuk dua kurrë që të zëvendësoj lojtarë si Tomasi. Sa për ndeshjen, mendoj se duhet të jemi krenarë për lojën, pavarësisht humbjes. Ishim me 10 lojtarë dhe luajtëm shumë mirë”.
Bajerni luajti me 10 futbollistë që nga minuta e 8-të kur Upamekano doli me karton të kuq. Bavarezët kanë 43 pikë pas 21 ndeshjeve, ndërsa pësuan humbjen e dytë në Bundesligë.
Sfidanti.al