Mediat franceze i tremben një konflikti Mesi-Poçetino në Paris!

Askujt nuk i pëlqen zëvendësimi, aq më pak superyjeve. Shqetësimi më i madh për një trajner është kur duhet të nxjerrë nga fusha një “gjel” dhe kështu i ndodhi Maurisio Poçetinos me Lionel Mesit. Magjistari argjentinas e shprehu hapur pakënaqësinë e tij me patriotin e tij, ndërsa shkoi të ulej në stolin e Paris SG në “Parkun e Princave”, duke mos i dhënë dorën. Dakord, lëvizja e Poçetinos doli e mbarë sepse PSG arriti fitoren në sekondat e fundit të sfidës ndaj Lionit në Ligën e Parë të Francës. Mauro Ikardi, një zëvendësues, realizoi me kokë, veçse mediat franceze ngritën alarmin.

“Fluturimi i Ikardit”, – titullon “L’Ekipi, që shton se “italiani shënoi një gol të bukur, por penalltia e dyshimtë për Nejmarin dhe zëvendësimi i Mesit krijuan dyshime”! E përditshmja e kryeqytetit, “Lë Parizien” veçon grimasën e Mesit kur u zëvendësua, dhe i bën jehonë reagimeve të mediave europiane!

“Të gjithë e dinë se ne kemi lojtarë të mëdhenj në një ekip me 35 vetë, – tha Poçetino duke mbrojtur vendimin e tij, – Nuk mund të aktivizoj më shumë se 11 lojtarë njëkohësisht. Unë gjithnjë mendoj më të mirën për rezultatin, për ekipin dhe për lojtarët, siç bën çdo trajner. Ndodh që të dalë mirë, ndodh që del keq”.

Për fatin e tij të keq, Mesi nuk po arrin të shënojë golin e parë me PSG-në, ndërsa ka luajtur tri ndeshje. Madje, ai goditi shtyllën, ashtu siç bëri edhe në Champions në mesjavë. Për ta bërë më të hidhur situatën për Mesin, mjaft të kujtojmë se Kristiano Ronaldo po shënon vazhdimisht që pas rikthimit tek Mançester Junajtidi. Portugezi realizoi në fushën e Uest Hemit, në fitoren 2-1, dhe ky ishte goli i tij i 4-ët në 3 ndeshje.

Sfidanti.al