Dukati realizon ëndrrën në Moto GP me Françesko Banjajën

Fitorja ishte arritur edhe në garën e kaluar, por kjo ishte më e veçantë. Dukati triumfoi në Çmimin e Madh të San Marinos, në Apenine, ku Françesko Banjaja ia doli me motorin italian,dhe me skuadrën italiane. Edhe pse tifozët në Mizano ishin aty për t’i dhënë lamtumirën Valentino Rosit, që këtë sezon i jep fund karrierës. Banjaja arriti fitoren e dytë radhazi, pas asaj në Aragonë të Spanjës, duke fituar duelin me pilotin francez, Kuartararo. Banjaja fitoi edhe provat zyrtare të shtunën, ndërsa ndjek Kuartararon në renditjen e Kampionatit Botëror në Moto GP. Francezi ka 216 pikë ndaj 161 të italianit. Dukati ia ka dalë vetëm një herë të shpallet kampion i botës për pilotët, kur kishte në skuadër australianin Kejsi Stoner, dhe ishte po ai sezon (2007), kur fitoi edhe si ekip.

Sfidanti.al