Nuk ishte edhe aq rezultati, sesa loja. Kombëtarja e Anglisë u kritikua ashpër nga mediat ishullore pas barazimit me Slloveninë në Euro 2024. Kjo, edhe pse u kualifikua si vendi i parë në grup. “Southgate pushkatohet nga Shearer”, titullon “Telegraf”, që i bën jehonë kritikave të ish-sulmuesit të madh ndaj trajnerit të “Tre Luanëve”. “Anglia bën vetëm aq sa i duhet, – shkruan “Guardian”, – skuadra e Southgate del në krye të grupit, pas një barazimi dëshpërues”. “Luanë pa ngjyra! Një tjetër barazim I mërzitshëm, por të paktën Anglia kryeson grupin (dhe shmang gjermanët)”, – është komenti në kopertinën e tabloidit “Daily Mail”. Ja edhe “Daily Mirror”: “Anglia kryeson grupin, por nuk ia del që të kënaqë tifozët, në barazimin me Slloveninë”. E përditshmja tjetër, “Metro”, shkruan se Anglia e pati të vështirë, edhe pse u kualifikua, ndërsa i bën jehonë kritikës së Roy Kean e Jack Wilshire. “Daily Exspres” tregon sesi mediat gjermane u tallën keqas me yjet e “Tre Luanëve”, duke I quajtur “kotele”!
Tabloidi tjetër, “Sun”, bën lojë fjalësh duke titulluar: Djem të përzgjedhur keq! Gazeta kritikon ato që i quan eksperimentet e trajnerit Southgate dhe në krahun tjetër kapiteni Harry Kane pranon se Anglia nuk ishte në nivelin e duhur. “Synimi ynë që në nisje ishte që të dilnim në vend të parë dhe të kishim në dorë fatin tonë. Këtë e arritëm. Këtë herë, ndeshja ishte e vështirë. Në dy sfidat e para shpenzuam shumë energji. E mbajtëm shumë topin, por nuk gjetëm dot rrugën e rrjetës. Tani, të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira. Na mungoi pasimi I fundit, dhe finalizimi, krosimet. Ne patëm disa gjysmë raste. Duhet të shlodhemi dhe të bëhemi gati për sfidat e radhës. Mund të ketë kohë shtesë, ndoshta penallti, por ne duhet të luajmë më mirë”,- u shpreh “bomberi” i Bayern Munich. Anglia ka shmangur krahun e vështirë të shortit ku ndodhen Gjermania, Franca, Spanja dhe Portugalia, por gjithsesi mund të jetë përballë ekipeve si Italia apo Holanda.
sfidanti.al