Mbrëmja kur Majk Tajsoni tronditi planetin, ose lindja e një legjende

I urryer dhe i dashuruar, një forcë e errët e natyrës, krijuar nga vetë neglizhenca e një shoqërie të papërsosur. I tillë ishte Majk Tajsoni, njeriu që mund të thuhet se ndryshoi për herë të dytë boksin, pas ndryshimit të parë që bëri Kasius Kleji, i mbiquajturi Muhamed Ali. Majk, djalë i një mamaje të dhuruar e të ofenduar, fëmijë dhe adoleshent që nuk njohur dashuri, por stres, nerva dhe urrejtje, u bë i frikshëm në ringun e boksit.
Shoqëria për të cilën çdo gjë vlen kur sjell fitim, e nxorri në ring “kafshën” me fytyrë njeriu, qenien njerëzore që mund të kishte qenë po aq i civilizuar sa vëllezërit Kliçko, modele të vërteta për t’u ndjekur nga të rinjtë. U mbushën 30 vjet që kur “Majku i Hekurt” u bë për herë të parë kampion i botës në peshat e rënda, më i riu në histori, pas një fitoreje dërrmuese ndaj Trevor Berbajkut. Ishte e pamundur për rivalët që ta përballonin atë makineri jo vetëm muskujsh, por në radhë të parë urrejtjeje dhe guximi deri në çmenduri, vetëmohim. Një kamikaz i vërtetë i sportit.
Ende sot gazetat shesin kopjet e tyre duke e quajtur Tajsonin si “njeriun më të keq” të planetit, siç bën “Deili Meil”, një nga mediat më tabloide, më sipërfaqësore, dhe më tipike e moralit që ende propagandohet. Tajson shkaktoi shumë vuajtje, ndonëse mori shumë adhurime nga vajza të shkreta, pa shkollë dhe pa dinjitet, për të cilat lumturia më e madhe në jetë ishte të shkonin një natë me të.
Sot, Majk Tajson është një njeri i shkatërruar, dikush që nuk ka më vlerë, të cilit edhe 200 milionë dollarët që ia dhanë, ia morën me shumë më tepër lehtësi, menaxherë spekullues dhe të ashtuquajtur investues. Të paktën, ai kishte derdhur djersë dhe gjak për t’i fituar, ndërsa “njerëzit e mirë të planetit” u desh të shpenzonin vetëm disa minuta aktrimi të djallëzuar.