Mbape rinovon me PSG-në deri në 2025: Paris është shtëpia ime!

Përderisa ofertat financiare ishin shumë të përafërta, atëherë ai zgjodhi me zemër. Kilian Mbape e bëri zyrtare, ashtu si drejtuesit e Paris SG, rinovimin e kontratës deri në 2025. Gjithçka u bë mbrëmjen e kësaj të shtune ndërsa kampionia e Francës doli në fushën e “Parkut të Princave” për të luajtur ndeshjen e javës së fundit të Ligës së Parë. Ylli, që vlerësohet si futbollisti më i mirë i botës sot për sot, u prezantua para rreth 50 000 tifozëve në krah të presidentit Al Helaifi, duke mbajtur në duar fanelën pariziene ku ishte shkruar viti 2025. Pra, Mbape rinovon për 3 vjet.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu, – tha ai me mikrofon në dorë përpara tifozëve të entuziazmuar, – Parisi është shtëpia ime. Qendroj tek PSG-ja sepse dua që të vazhdoj të fitoj trofe për ju”. Nuk dihet nëse Mbapeja do të arrijë ta fitojë Championsin me Paris SG, por padyshim që do ta provojë. Lajmi për rinovimin u dha nga gazetari Fabricio Romano që shkruajti në 19:30 se “Mbape ka firmosur kontratën dhe pritet njoftimi zyrtar, gjithçka ka përfunduar”. Presidenti i Realit, Florentino Perez, u përgjigj (sipas gazetarit Zhozep Pedrerol) se “jam qejfmbetur me këtë që ndodhi ditët e fundit, pasi shkatërruan ëndrrën që kishte që fëmijë, por i uroj gjithmonë vetëm të mira”. Mbape ishte tepër i lumtur ne fushën e lojës dhe shënoi dy gola që në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Nisës.

Sfidanti.al