Marash Kumbulla provon fatin për herë të tretë, a do të shënojë sërish?!

Lumturia nuk mund të zgjasë pa fund, por ai shpreson të mos përfundojë pikërisht tani.  Marash Kumbulla bëhet gati për ndeshjen e tij të tretë të rëndësishme radhazi me Romën, duke bërë një rikthim në Ligën e Europës, në orën 21:00 ndaj CSKA-së së Sofies. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, pas golit që shënoi po në Europë në ndeshjen në Zvicër ndaj Jang Bojsit, u përsërit në Serinë A, me rrjetën e rëndësishme ndaj Milanit, ndaj edhe morali i tij padyshim që është shumë i lartë.

Edhe pse trajneri Fonseka pritet të bëjë ndryshime në mbrojtje, duke aktivizuar anglezin Smolling, Kumbulla besohet se do ta ruajë vendin e tij në repartin me 3 lojtarë. Gjithsesi, trajneri i Romës nuk është plotësisht i kënaqur me lojën e tij difensive. “Mbrojtësit tanë kanë luajtur mirë, por gjithsesi ne duhet të përmirësohemi në mbrojtje, – tha Fonseka, – Mançini, Kumbulla dhe Ibanjez kanë qenë në lartësinë e duhur, por këtë herë luan Smolling”.

Shqiptari 20-vjeçar me gjasë do të ketë përballë lojtarë të fortë sonte në stadiumin “Olimpiko, ndërsa CSKA-ja e Sofies fitoi në ndeshjen e parë europiane ndaj Bazelit.

Sfidanti.al