Mane-Salah, Liverpuli “likujdon” Çelsin, mbetet mbi Sitin në Premier!

Padyshim një nga duelet më të bukur të të gjitha kohëve. Liverpul-Mançester Siti apo Mançester Siti-Liverpul është një sfidë e madhe në kampionatin anglez, dhe nuk humbi asgjë nga emocionet e saj edhe pas kësaj fundjave. Skuadra e Jurgen Klopit iu përgjigj asaj të Pep Guardiolës, edhe pse pati një përballje tepër të vështirë në stadiumin “Anfild”.

Vizitor ishte Çelsi, një kundërshtar që vërtet ka zhgënjyer shpesh, por që ka në përbërje lojtarë të mëdhenj si Hazar, Kante, Uillian apo Azpilikueta. Vendasit patën epërsi, ashtu siç pritej prej tyre, duke qenë vazhdimisht në sulm, duke zotëruar topin 62 për qind, e duke pasur dyfishin e gjuajtjeve të londinezëve. Edhe goditjet nga këndi ishin 9-3, por u desh të pritej pjesa e dytë për të kaluar në avantazh.

Ishin dy pjesëtarë të treshes së shkëlqyer të sulmit, që zgjidhën ndeshjen. Fillimisht, Sadio Mane mbylli me sukses një aksion kolektiv në të djathtë, ndërsa kaluan vetëm 141 sekonda deri te goli i dytë. Ai ishte meritë ekskluzivisht e Mohamed Salahut.

Çelsi natyrisht pati krenarinë për të treguar veten dhe Eden Hazar, një nga lojtarët më të mirë të botës, pati dy mundësi për të shënuar, kur rezultati ishte 2-0. Herën e parë e ndaloi shtylla, ndërsa në aksionin e dytë shpëtimtar u bë portieri Alison.

Liverpuli ka tani 85 pikë ndaj 83 të Sitit, ndonëse skuadra e Guardiolës ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Mos do të thotë kjo se kampionët në fuqi janë favoritë? Edhe mundet, veçse të kuqtë kanë një kalendar më të favorshëm, ndërsa të besuarit e Guardiolës do të presin Totenhemin në stadiumin e tyre javën që vjen, si dhe do të luajnë derbin në fushën e Mançester Junajtidit.

Sfidanti.al