Nuk bëri punë tapeti i stërnjohur i “Old Trafordit”. As centimetrat e Lukakut, Matiçit apo Ibrahimoviçit që e luajti një çerek ore. Mançester Siti i Pep Guardiolës nuk ka rivalë këtë sezon në Premier Ligë dhe mund të dalë kampion duke vendosur rekorde. Nëse dikush dyshonte, patjetër që është bindur pa një e pa dy, nga ajo që i panë sytë në derbin e qytetit.
“Fqinjët” fituan 2-1 dhe krijuan një diferencë prej 11 pikësh me vendin e dytë që mbahet pikërisht nga Mançester Junajtid i Zhoze Murinjos. Përpara ndeshjes, legjenda e kuqe Erik Kantona shprehej se “do të donte të ishte me ekipin e Guardiolës, por zemra ime mbetet e Junajtidit”, ndërsa besonte se Murinjo vërtet nuk ishte mjeshtër i spektaklit, por mbetej mjeshtër i rezultateve.
Tashmë, duket se katalani Pep ka marrë “doktoraturën” për të dyja dhe se po shkon me hap galopant drejt një suksesi si ato që arriti me Barcelonën.
David Silva kaloi miqtë në epërsi në 43’, por Junajtid pati karakterin për të barazuar për dy minuta me anë të sulmuesit Markus Rashford. Gjithsesi, fitorja e Sitit nuk mund të mohohej, por u arrit nga një hero “i heshtur” Nikolas Otamendi. Ishte minuta e 54-ët dhe asgjë nuk ndryshoi deri në fund, ndonëse Lukaku pati një rast të artë në fund për të barazuar.
E pra, Lukaku! U mor për 75 milionë stërlina për të qenë tmerri numër 1 i kundërshtarëve. Ndaj Sitit, jo vetëm që nuk u duk dhe gaboi edhe atë që nuk gabohej, por prishi punë në të dy golat e pësuar, pikërisht nga goditjet standarde. Sipas parashikimeve, Siti do të vuante pikërisht nga goditjet standarde!
Mançester Siti arriti fitoren e 14-të radhazi, një rekord i Premier Ligës, vazhdon të ketë fillimin më të mirë të këtij kampionati, ndërsa nuk kishte ku gjente fushë më të mirë për t’ia arritur. Po ashtu, ndërpreu serinë prej 40 ndeshjeve radhazi pa humbje në shtëpi të Junajtidit të Murinjos, seri që kishte nisur pikërisht pas humbjes me Sitin në shtator 2016.
Sfidanti.al