Partizani me karakter kampioni, mund Teutën dhe i afrohet Europës

Fitorja me Teutën duhej të priste. Më herët, Partizanit iu desh të merrej me policinë për fatin e disa tifozëve të tij. Forcat e rendit ndaluan hyrjen e një pjese të përkrahësve të kuq në stadiumin “Selman Stërmasi”, të cilët duhej të ishin pajisur me dokumente identifikimi.

Kjo për shkak se policia kishte një listë me emra që nuk do t’i lejonte në ndeshje për shkak të precedentit. Precedenti kishte ndodhur të shtunën, përpara derbit mes Partizanit dhe Tiranës në basketboll për meshkuj në “Asllan Rusi”, ku tifozë të të dyja skuadrave ishin bërë gati për t’u përleshur.

Për të zgjidhur situatën ndërhyri edhe ai që mund të quhet drejtori sportiv në pritje i Partizanit, Olsi Rama, në pritje sepse ende nuk ka marrë licencën për këtë pozicion. Ndeshja vonoi 11 minuta për të nisur pasi lojtarët e Partizanit nuk deshën të luanin, dhe delegati i Federatës, Kotherja, shkeli edhe sipër rregullores që përcakton se takimi duhet të nisë në kohë.

Partizani të paktën pati kënaqësinë që e fitoi sfidën e fortë të Superligës. Përballë një kundërshtari shumë të fortë si Teuta, kryeqytetasit nuk e patën aspak të lehtë, madje pësuan gol të parët, por kjo nuk besohet se i habiti shumë.

I tillë është ky kampionat, ku ndeshjet shpesh fitohen me përmbysje, dhe ku faktori fushë nuk po luan aq shumë rol si më parë. Gjithsesi, skuadra e Sulejman Starovës pati meritën që nuk u dorëzua dhe luftoi më shumë, duke e merituar fitoren. Në mungesë të sulmuesve tipikë që trajneri shpreson ta tejkalojë në janar, të kuqtë shënuan me anë të dy lojtarëve të tyre simbol të golit.

Barazimin e arriti shpejt me Trashin, ndërsa fitoren vetëm në minutën e katërt e të fundit shtesë, me anë të kapitenit Batha. Ky sukses e ngjiti Partizanin në kuotën e 21 pikëve, ende në vend të gjashtë, por vetëm 4 pikë larg vendit të dytë. Europa mund të quhet pranë, edhe pse titulli larg me Skënderbeun që ka 10 pikë diferencë.

Sfidanti.al