Jo mrekullia e vjetshme, por Monako është ende një mrekulli!

U shkërmoq jo pak në verë. Shumë futbollistë ikën nga Monako, dhe dhjetëra e qindra milionë euro erdhën në shkëmbim, por trajneri Leonardo Zhardim e dinte mirë sesa të vështirë do ta kishte. Fushata në Champions ishte një dështim i plotë, krejt ndryshe nga gjysmëfinalja e vjetshme, veçse Liga e Parë e Francës mbetet ende një krenari, siç e tregoi reagimi madhështor në fitoren 3-2 ndaj Trojesit.

Monako u ndodh në humbje 0-2 pas 50 minutave lojë, iu desh një autogol në minutën e 70-të për të ngushtuar diferencën, por pati zemrën e madhe për të fituar takimin me dy golat e të njëjtit autor, Guido Karrijo në minutat 85 e 88. Duke pasur ende lojtarë të mirë në përbërje, skuadra e Principatës mund të mbahet në vendet e larta. Falkao, Lemar, Mutinjo, Fabinjo apo Balde Keita nuk janë aspak për t’u hedhur poshtë.

Gjithsesi, Paris SG është diçka tjetër dhe përvoja dhe fuqia ekonomike e Marsejës dhe Lionit ndikojnë, por gjithsesi Monako mbetet në vend të dytë në ligën franceze me 35 pikë pas 17 ndeshjeve dhe me plot 40 gola të shënuar. Vetëm PSG ka realizuar më shumë, 51.

Sfidanti.al