Një ekip që mban në stol lojtarë si Dalot, Lisandro Martinez (kampion i botës), Fred apo edhe Garnaço dhe Elanga, nuk ka më nevojë për Kristiano Ronaldon. Me gjithë respektin maksimal për superyllin portugez, “bebet” e Mançester Junajtidit janë në gjendje të “ecin vetë”, ndërsa trajneri Erik Ten Hag po krijon atmosferën e dikurshme që ishte nën udhëheqjen e Sër Aleks Fergusonit. Fitorja 3-0 ndaj Bournmuthit nuk ishte e madhe thjesht për shifrat, sepse kundërshtari nuk ishte nga më të fortët, por për mënyrën sesi u arrit dhe për vazhdimësinë e “djajve të kuq”.
Lehtësia ishte e plotë dhe Junajtidi duket se e ka lënë prej kohësh prapa katastrofën 3-6 në fushën e Sitit. Ky ekip mund të jetë gati për të luftuar për titull, edhe pse këtë do ta tregojë vetëm koha dhe testet me Sitin, Arsenalin, Liverpulin e Çelsin. Kasemiro vazhdon të komandojë, madje edhe të shënojë, Garnaço vazhdon të shkëlqejë e të rritet, Megajer është kthyer në formë dhe Ljuk Shou apo Lindelof janë garanci. Lisandro Martinez mezi po duron stolin, Bruno Fernandes po “qendis” lojën dhe Rashford është kthyer në një Mbape apo Vinisius. “Djajtë e kuq” kanë 35 pikë, po aq sa Njukasëlli me një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa mund të synojnë edhe vendin e dytë që e mban Siti.
Man. Junajtidi (4-2-3-1): De Gea, Uan-Bisaka (Dalot 69’), Lindelof (Lisandro Martinez), Megajer, Shou, Kasemiro, Eriksen (Fred 68’), Bruno Fernandes, Van de Bek (Garnaço 45’), Rashford, Marsial (Elanga 69’).
Sfidanti.al