Man. Siti arratiset, por Çelsi ngec pavarësisht Lukakut!

Ata që kishin ndonjë dyshim besohet se tani e kanë më të qartë. Pep Guardiola është nisur në mënyrë të pandalshme drejt titullit kampion në Premier Ligë, siç e tregoi edhe fitorja e vështirë 1-0 në fushën e Brentfordit. Një përballje e ashpër, ku Mançester Siti ishte më lart për vetë cilësinë superiore të lojtarëve, ndonëse suksesi u arrit falë vetëm 1 goli shënuar nga Fil Foden në 16’. Ai u kthye nga “internimi” (i dënuar për thyerje disipline) dhe tregoi klasin e tij.

Çelsi i Tomas Tuhelit, ndërkaq, gaboi përsëri dhe nuk dihet se kur kjo skuadër do të dalë nga “qorrsokaku” ku ka hyrë. Barazim 1-1 në “Stemford Brixh” ndaj Brajtonit, një rezultat edhe më shumë i habitshëm sesa humbja e Liverpulit në Leister. Romelu Lukaku, që e nisi ndeshjen si titullar pas dy muajsh, shënoi golin e dytë në dy sfidat e fundit (28’), por kjo nuk mjaftoi. Dani Uelbek, ish-ylli i Mançester Junajtidit, shënoi në 91’. Tashmë Siti ka 50 pikë në 20 ndeshje, Çelsi ka 42 pikë në 20 ndeshje, ndërsa Liverpuli ka 41 pikë në 19 ndeshje.

Sfidanti.al