Man. Junajtidit i paska ikur Halandi nga duart për 4.5 milionë euro!

Se cili është ky yll tashmë e dinë të gjithë. Ka disa sezone që Erling Halandi është bërë sinonim i golit, dhe pas Salcburgut e Dortmundit, shërbimet e tij po i bëjnë kaq shumë punë Mançester Sitit. Gjithsesi, gjigandi i sotëm norvegjez mund të kishte pasur një karrierë krejt tjetër, nëse tre vjet më parë mund të ishte dëgjuar një këshillë. Ole Gunar Solskjer, ish-trajneri i Mançester Junajtidit, përveçse edhe ish-sulmues i shquar i këtij ekipi, ia paska ofruar Halandin “djajve të kuq” që në 2018 kur ishte tek Molde, pra luante ende në Norvegji.

Solskjer tregon sot, siç citon e përditshmja spanjolle “Marka”, se ia bëri propozimin drejtuesve të klubit gjashtë muaj përpara sesa të emërohej në detyrë, por ata nuk u bindën. Në atë kohë, Halandi ishtey 18 vjeç dhe kartoni i tij do të kushtonte vetëm 4.5 milionë euro. Solskjeri e drejtoi Man. Junajtidin nga 2018 deri në 2021 dhe u përpoq sërish ta merrte sulmuesin, por rrugët e tyre nuk u bashkuan. Sulmuesi 22-vjeçar po ndihmon Mançester Sitin që të fitojë Premier Ligën, Championsin dhe Kupën e Anglisë, ndërsa është favorit absolut për të fituar Kupën e Artë në Premier Ligë dhe në Europë.

Sfidanti.al