Majtas, djathtas, në qendër, ky Bajern ka probleme kudo!

Kur pëson një humbje ditët e sotme, është më mirë të fikësh televizorin, të heqësh internetin nga celulari, dhe të ngujohesh vetëm në shtëpi e në stërvitje. Bajerni, që ka pësuar disa të tilla këtë sezon, u vu përsëri nën “zbërthim” pas disfatës aspak të lehtë në fushën e Leverkusenit.

Gazeta “Bild”, ngacmuesja më e madhe mediatike në Gjermani, bëri një “radiografi” të kampionëve dhe nxorri se ata janë “ngelës” thuajse në çdo pozicion. Manuel Nojeri është i dëmtuar, qendra e mbrojtjes me Zylen dhe Humelsin “futi ujë”, deri edhe lojtarët e krahut si Xhoshua Kimih apo Leon Gorecka nuk bindën.

Krahu i djathtë ishte “i vdekur”, sipas “Bildit”. Tomas Myleri vërtet dha asistin e golit, por nuk bëri asgjë tjetër dhe gazeta bën shaka se kapiteni (në vend të Nojerit) u mërzit që nuk qe në gjendje ta ndiqte ndeshjen në mënyrë komode nga stoli. Rafinja po ashtu jo vetëm nuk pati forcën dhe energjinë e zakonshme, por ishte i dobët edhe në mbrojtje.

Sulmi është në dorë të Levandovskit dhe Kingli Komanit. Ky i fundit ka qenë 4 muaj i dëmtuar, dhe kjo natyrisht që ndihet. Polaku, ndërkaq, është bërë një “grua e keqe”, që do të thotë se ka nisur të kritikojë majtas-djathtas, shokët e skuadrës. Këto kritika natyrisht që nuk i ndihmojnë lojtarët e tjerë që të kenë besim te vetja.

Problemi është se Bajerni tani po hyn në një periudhë 16-ditore ku vendoset sezoni. Këtë të mërkurë mund të mbetet jashtë Kupës, pasi luan në fushën e Hertës, aty ku humbi 0-2 në kampionat. Në Bundesligë është 7 pikë prapa dhe Dortmundi duket i vështirë për t’u mbërritur, ndërsa sfida në Champions është tepër e vështirë ndaj Liverpulit, në 19 shkurt.

Sfidanti.al