Edhe Superliga mësoi nga studentët, plasën protestat për rrogat

Ku shkoi futbolli shqiptar ku askush nuk bëzante, edhe kur mbetej pa marrë rrogën për shumë kohë? Ky sezon po njeh një tendencë të re, një lloj proteste, qoftë individuale, por më së shumti kolektive, që shpresohet të sjellë “në terezi” klubet e katandisura si piramidat famëkeqe të dikurshme.

Në Kamzë, shumë nga lojtarët kryesorë refuzuan të dilnin në fushë në ndeshjen ndaj Partizanit, duke mos lejuar që klubi të bënte ping-pong mes presidentit dhe kryebashkiakut për autorin e fajit. Një ditë më pas, mësohet se mesfushori i Flamurtarit, Muhamed Useini (në foto), ka dhënë ultimatum se do të largohet nga Vlora nëse për “X” ditë nuk i jepen paratë.

Në Vlorë, “flamurin e ngritën” përpara tij dy të huajt, Danilo Alvesh e Tomislav Bushiç, i pari duke mos u kthyer fare, dhe i dyti duke kaluar tek Teuta. Fazën e parë, ishin lojtarët e Skënderbeut që bënë një grevë njëditore, duke mos dalë në mënyrë demonstrative në stërvitje, pikërisht për rrogat.

Duket se Superliga po mëson nga protesta e studentëve, pasi futbollistët panë sesi u trondit qeveria, sesi ranë ministrat, sesi kryeministri doli me mistri në dorë duke suvatuar muret e fjetoreve. Aha, kështu merrkan vesh, vetëm kur proteston!

Sfidanti.al