De Bor e ka inatin me Interin: Pas 4 muajsh kisha përshtypjen se kisha punuar prej 6 vitesh

Frenk De Bor vendosi që të vijojë karrierën e tij si trajner në Major League Soccer në SHBA me Atlanta Junajtid për të provuar një eksperiencë të re, por edhe për faktin se Atlanta i prezantoi një projekt serioz që mund ta ndihmojë për të fshirë imazhin negativ të krijuar pas eksperiencave negative me Interin dhe Kristal Palas.

‘Njerëzit shpesh mendojnë se futbolli në SHBA është inferior, por nuk është kështu. Kam shkuar te një skuadër e vërtetë futbolli-tha De Bor në një intervistë për gazetarin e NAS, Kes Jongkind duke konfirmuar se synimi i tij është të kthehet në Evropë-jam i sigurt se nëse bëj dicka pozitive këtu, do të kthehem në një klub evropian. Vura re se kur isha lojtar dhe shkova në Katar e Turqi, ishte një pasuri. Këtu po punojmë prej rreth 3 javësh dhe më habiti shumë disiplina dhe se sa shpejt mësohen gjërat. Jam shumë pozitiv’

Më pas De Bor u kthye të flasë për eksperiencat e tij me Interin e Kristal Palas.

‘Kam dashur të përqendrohem për të gjetur qetësi dhe në futboll kjo është e mundur-tha De Bor-unë nuk mund të mbaj të gjithë strukturën e një klubi. Kam mësuar shumë te Interi e Kristal Palas, duhej të përqendrohesha te futbolli. Te Interi ka shumë ndikime, donin të shihnin rezultate. Pastaj, je shumë i përfshirë. Pas 4 muajsh kisha parandjenjën se po punoja prej 6 vitesh aty. isha i lodhur, me të vërtetë i lodhur’.

sfidanti.al