Legjendat e Barcelonës, asaj të sotme dhe të së kaluarës, u mblodhën në një ceremoni të veçantë që bëhet vetëm për më të mëdhenjtë. Nuk mund të kishte mënyrë tjetër për t’i dhënë lamtumirën Andres Iniestës, magjikut katalanas që dominoi fushat e futbollit për 16 vjet me radhë.
Lionel Mesi, Karles Pujol, Ksavi Hernandez, Sergio Buskets apo Samuel Eto ishin mes atyre të mbledhur në sallën-muze, ku ishin vendosur trofetë e shumtë të fituar nga numri 8. Me 32 tituj dhe me 673 ndeshje të luajtura në karrierë, Iniesta është vërtet i veçantë, ndër fituesit më të mëdhenj të të gjitha kohëve.
Yjet e tjerë, dhe jo vetëm të futbollit, i bënë vlerësimet e tyre të larta në rrjetet sociale. Sergio Ramos, Andrea Pirlo, Nejmar, Jup Hajnkes, Rivaldo, De Brujn, Van der Sar, Iker Kasijas, David Vija, Pavel Nedved, Luis Van Gal, Ronald Koeman, Xhanluixhi Bufon, Viktor Valdes, Erik Abidal, Fabio Kapelo, Frank Rajkard, Geri Lineker, Deko, Markos Sena, Tieri Henri, Luis Enrike, Rafael Nadal e Françesko Toti, ishin disa ndër ata që i bënë nderet e fundit për karrierën si barcelonist.
“Artist” ishte fjala e Linekerit, “unik” e vlerësoi Nadali, “dirigjent i orkestrës” tha Kapelo, “i paprekshëm”, u shpreh Henri, “fenomenal” ishte deklarata e Totit, “imagjinatë” për Luis Enriken, “fantazi” për Bufonin, “gjeni” për Nedvedin.
Këtë të diel, Andres Iniesta 34-vjeçar do të luajë ndeshjen e fundit për Barcelonën, ndaj Sociedadit në “Kamp Nou”, me gati 100 000 tifozë që nuk do të mungojnë në takimin e tyre të mbramë me legjendën.
Sfidanti.al