Tenisisti izraelit Amir Vejntraub që mban vendin e 222-të në ranglistën botërore të tenisit, deklaroi, kohët e fundit, se mafia e basteve ka kontaktuar një numër tenisistësh, me qëllim që t’i fiksojë paraprakisht rezultatet e ndeshjeve, madje edhe më të mirët, midis tyre edhe Novak Gjokoviçin. Por, media sportive në Serbi konsideron se as që bëhet fjalë që Nole (Gjokoviçi) të ketë ndonjë lidhje me këtë mafie, pasi ky është një shembull klasik i ushtrimit të presionit mbi tenisistin serb.
Specialistët serbë të tenisit thonë se koha për të bërë akuza të tilla nuk është zgjedhur rastësisht, pikërisht, para turneut të mjeshtrave të Parisit që fillon këto ditë. “Ky është maskarallëk dhe sulm ndaj Novakut! Lerëni njeriun që të jetojë i qetë dhe të luajë tenis. Gjithkushi që sado pak e ndjek sportin, e kupton se përse bëhet fjalë. Anglezët kanë filluar një ofensivë kundër Novakut, me qëllim që Marej të dalë i pari në fund të sezonit! Kushedi se çfarë të sajojnë tjetër në të ardhmen. Kanë prova? Le t’i tregojnë. Ai izraeliti duhet të dënohet”, i tha medias serbe specialisti serb i tenisit, Radmillo Armenuliç.