Nuk mbeti aspak i kënaqur nga paraqitja e të tijve, Luçiano Spaleti. Trajneri i Interit ndoqi me shumë stres përballjen e javës së katërt të kampionatit ndaj Krotones, dhe arriti të gëzohej vetëm për pikët e fituara. “Interi nuk është ende një skuadër e madhe, – tha ai pas takimit, – kemi një rrugë të gjatë për të bërë që të jemi në nivelin që duhet për të pretenduar titullin dhe për të qenë të fortë në Champions”.
Duhej të kishte qenë ndeshja e konfirmimit, por thuajse rezultoi një dështim. U duk se periudhës së artë të Interit në këtë sezon të Serisë A i erdhi fundi pikërisht në fushën e një rivali jo shumë të vlerësuar si Krotone. Edhe pse vetëm me 1 pikë në tri ndeshjet e para dhe pa asnjë gol të shënuar, sërish kalabrezët deshën të tregonin se vlenin shumë më tepër.
Të paktën, për këtë i bindën të gjithë dhe vetëm mrekullitë e portierit Handanoviç e shpëtuan Interin nga humbja në stadiumin “Ecio Shida”. Rreth 15 000 tifozë vendas me të drejtë u ndjenë krenarë për skuadrën e tyre, edhe pse Krotone mbetet e vogël. Aq e vogël sa edhe fatin e ka kundër, duke humbur raste të pastër dhe duke pësuar golat fare në fund.
Formacioni i trajnerit Spaleti, përfaqësues i njërit prej 3 klubeve më të mëdhenj të Italisë, pasi i falenderoi vendasit për gabimet e bëra, ia ktheu nderin duke u shënuar dy gola. Mbrojtësi Shkriniar dhe mesfushori kroat Perishiç ishin autorët. Zikaltërit i kanë fituar të katër ndeshjet e para të kampionatit italian, duke u dhënë sinjal rivalëve më të afërt, Juventusit dhe Napolit, se pretendimet për titull janë serioze.
Spaleti vlerësoi shumë Shkriniarin, më të mirin në fushë për të vetët, por kritikoi mesfushën dhe krahët që nuk e ndihmuan sa duhet sulmuesin kryesor, Mauro Ikardi.
Sfidanti.al