Është trajneri Valverde, magjiku i Barcelonës, dy zëvendësime për fitoren!

Ndeshjet janë katër, pikët 12 dhe golat e shënuar 11. Gjithçka më së miri për Barcelonën, por nëse nuk shikon tabelën e renditjes, por ndeshjen e luajtur në fushën e Getafes, bindesh se jo gjithçka shkon vaj. Katalansit fituan 2-1 dhe ruajtën rekordin e 100 për për qind të pikëve të fituara në ligën spanjolle, veçse problemet që vazhdojnë t’i kenë nuk arrijnë t’i fshehin dot.

Një pjesë e parë për t’u harruar, që kujtoi momentet më të këqija në Superkupën e Spanjës, humbur bindshëm në të dyja ndeshjet ndaj Realit. Getafe kaloi në epërsi në 39’ me anë të Shibasakit, ndërsa skuadra e trajnerit Valverde sikur kishte hyrë në fushë për të bërë stërvitje, apo thjesht për të kaluar kohën.

Gjithsesi, nën lidershipin e Lionel Mesit, miqtë nuk mund të reagonin. Me siguri edhe Valverde u foli jo pak në pushim dhe Barça tregoi se mbetet një skuadër e fortë, e aftë të përballojë momenta të vështira. Megjithatë, ndaj një Getafeje në formë mjaft të mirë, asgjë nuk ishte e sigurt dhe kështu besohet se do të jetë në çdo ndeshje të kampionatit.

Denis Suarez më në fund e arriti barazimin kur kishte kaluar një orë lojë, por sërish nënkampionët e Spanjës nuk bindën. Këtë herë fati i ndihmoi për të mos pësuar golin e dytë, por kjo mund të mos ndodhë gjithnjë.

Tifozët katalanas mund të jenë të lumtur të paktën për trajnerin e tyre. Valverde tregoi se di ta lexojë një ndeshje dhe ishin zëvendësimet e tij që vendosën rezultatin, pasi Denis Suarez dhe Paulinjo që shënuan golat, u hodhën në fushë në pjesën e dytë. Pavarësisht vështirësive, Barça është e vendosur shumë mirë në tabelë, për momentin me 7 pikë epërsi ndaj Realit të Madridit.

Sfidanti.al