Ishte viti 2002 dhe bavarezët nuk ishin aspak në terezi. Kampionët e Europës u eleminuan nga Championsi, dhe menaxheri i përgjithshëm i klubit i asaj kohe, Uli Hënes, pati një debat me ish-yllin e Mynihut dhe të Gjermanisë, Lotar Mateus. Ky i fundit ishte kritik i skuadrës pasi u mund nga Deportivo e La Korunjës, dhe Hënesi, që nuk mundi ta mbante veten, deklaroi: “Mateusi flet sikur ai ka arritur gjithçka, sikur ka fituar gjithçka dhe nuk ka humbur asnjë herë, ai ka dashur dhe dëshiron të jetë tek Bajerni, por sa kohë që unë dhe Kalle Rumenige të jemi këtu, ai nuk do të jetë as punëtor fushe”.
Kjo histori u kujtua me të qeshur nga e përditshmja “Bild”, kur revista bavareze “51”, lajmëroi se do të kishte një histori të veçantë me Mateusin, dhe në kopertinë do të kishte foton e tij të hipur në një traktor të vogël duke u marrë me fushën e “Alianc Arenës”. Titulli ishte: “Në fushën e blertë!” Komenti i revistës ishte i tillë: Dikur Uli Hënes u ankua se Lotar Mateusi nuk meritonte të ishte as korrës bari tek Bajerni, por në një familje ka gjithnjë zënka, por në fund të fundit ju jeni gjithnjë të bashkuar. Debatet e forta kanë si karakteristikë se më pas i bëjnë njerëzit që të qeshin”. Kur revista i propozoi Mateusit këtë histori, ish-kapiteni pranoi, por pati një kusht: Uli Hënesi duhej të ishte aty! Dhe ish-presidenti nuk e zgjati, por pranoi menjëherë.
Sfidanti.al