Liverpuli si Roki Balboa, të kuqtë e nisin Premierin me shifrat 4-0!

Jurgen Klop kishte kërkuar pikërisht këtë gjë, që skuadra e tij të vraponte e të luftonte sikur të ishte ajo me më pak shanse për fitore, pasi vetëm kështu do të arrinte suksesin. “Të luftojmë si Roki Balboa”, – u shpreh ai në konferencën e fundit përpara nisjes së Premier Ligës, dhe futbollistët e Liverpulit ia dëgjuan fjalën trajnerit të tyre.

Triumfi 4-0 në “Anfild” ndaj Uest Hemit ishte prova më e qartë se të kuqtë e filluan sezonin me këmbën e mbarë dhe se, sipas të gjitha gjasave, do të jenë pretendentë për titull. Të kuptohemi, ka kaluar vetëm një 90 minutësh, një ndeshje nga 38 që ka një kampionat i plotë, por besohet se Liverpuli është tani i pajisur siç duhet për një pretendim kaq të madh.

Mohamed Salah, Sadio Mane dy herë dhe Daniel Starrixh ishin autorët e golave, që të gjithë sulmues. Mediat nuk harruan të theksonin se skuadra e Klopit ishte ashtu siç pritej, energjike, krijuese dhe e rrufeshme, ndërsa londinezët përballë saj nuk patën asnjë mundësi për të shpëtuar. Liverpuli mbush këtë edicion, 29 vjet pa titull, ndaj edhe mbi 55 000 tifozët në “Anfild” kishin shpresën më të madhe në botë se ky mallkim do të marrë fund këtë vit.

Sfidanti.al