Liverpuli si “makineri parash”, fiton “me grushta” pavarësisht blerjeve

Në Angli, normalisht një klub i vërtetë biznesi është quajtur Mançester Junajtid, që vazhdimisht ka qenë ose në vend të parë, ose në të dytin, kur vinte puna për xhiron vjetore të parave. Gjithsesi, tani duket se këtë rol dëshiron ta marrë Liverpuli, që ka bërë një “kërcim” të madh përsa i përket fitimeve.

Lajmet nga Anglia janë që nënkampionët e Europës patën 125 milionë paund stërlina fitim (pa hequr ende taksat) për vitin financiar që përfundoi në maj 2018. Kjo është një rritje e jashtëzakonshme në krahasim me fitimet prej vetëm 30 milionë paund stërlinash të një viti më parë, dhe thyen rekordin e vendosur nga Leisteri, që pati përfitim prej 92.5 milionë paund stërlinash (përpara taksave), në sezonin kur doli kampion në 2016.

E gjitha kjo, edhe pse të kuqtë shpenzuan jashtë mase para për të marrë lojtarë të rinj, plot 190 milionë paund stërlina. Konkretisht, trajneri Klop mori Salahun, Okslejd-Çembërlenin, Robertsonin dhe Van Dajkun. Në total, xhiroja vjetore e Liverpulit ishte 455 milionë paund stërlina, edhe kjo me një rritje të madhe (90 milionë).

Fitimet e mëdha, klubi i pati nga ecuria në Champions, duke dalë në finale, si dhe nga transferimi i Filip Kutinjos tek Barcelona. Më pas, Klopi mori edhe Shaqirin, Fabinjon, Keitën dhe portierin Alison, me shpenzimet për lojtarët që, në 15 muaj, arritën në plot 334 milionë paund stërlina. Klubi anglez bëri edhe investime të zgjuara, gjatë kësaj, kohe, duke modernizuar Akademinë me 50 milionë euro të shpenzuara për të.

Sfidanti.al