Liverpuli mund Shefild Junajtidin, mbush 1 vit kalendarik pa humbje!

Në 3 janar 2019, Liverpuli do të provonte shijen e humbjes për herë të parë sezonin e kaluar, i mundur 1-2 në “Etihad” nga Mançester Siti. Në mbyllje të sfidës së sotme të Premier Ligës ndaj Shefild Junajtidit, skuadra e trajnerit Jurgen Klop mbushi një vit kalendarik pa humbje në kampionat. Edhe pse ndaj Shefild Junajtidit u luajt në 2 janar, ndeshja tjetër do të jetë në 11 janar, në Londër ndaj Totenhemit, pra edhe nëse do të humbasë, do të ketë kaluar më shumë se një vit kalendarik.

Në total, në këtë periudhë, Liverpuli luajti 37 ndeshje, nga të cilat fitoi 32 dhe barazoi 5. Do të duhen edhe 12 ndeshje të tjera për t’u barazuar rekordi i Arsenalit me 49 të tilla, ndërsa londinezët përfunduan pa humbje sezonin 2003-2004 të Premier Ligës duke dalë kampionë.

Kjo arritje e madhe u realizua falë një paraqitjeje të panjollë, edhe pse jo me vrullin maksimal që kemi parë nga të kuqtë. Kur fiton duke mbajtur topin 75 për qind, duke gjuajtur 19 herë drejt portës (ndaj 3 të kundërshtarit) dhe 7 herë në kuadrat (2), natyrisht që nuk mund të thuhet tjetër përveçse “ju lumtë”. Mohamed Salah i dha shpejt epërsinë të besuarve të Jurgen Klopit, kur shënoi që në minutën e 4-ët, ndërsa pas pushimit, Sadio Mane përfundoi me sukses kombinimin me egjiptianin, për të shënuar të dytin në 64’.

Liverpuli ka 58 pikë në 20 ndeshje, pra ka 13 pikë epërsi ndaj Leisterit të vendit të dytë, dhe 14 ndaj Mançester Sitit, edhe pse ka luajtur një ndeshje më pak se ta. Të kuqtë e Klopit kanë edhe golaverazh më të mirë, diçka që nuk ndodhte sezonin e kaluar.

Sfidanti.al