Kishte 16 vjet që një lojtar kaq i ri nuk kishte shënuar në derbin e krahinës së Mersejt për fanelat e kuqe. Që nga koha e Robi Faulërit, tifozët e Liverpulit nuk kishin parë një të tillë si Kërtis Xhonsi (Curtis Jones), dhe ata luten fort që kjo mrekulli të vazhdojë. Djaloshi 18-vjeçar (mbush 19 në 30 janar) shënoi golin e fitores në ndeshjen e turit të tretë të Kupës së Anglisë ndaj Evertonit në “Anfild”, dhe u shpall lojtari më i mirë në fushë.
Xhonsi ishte një nga katër futbollistët nën 20 vjeç që trajneri Jurgen Klop aktivizoi në një duel kaq të ashpër, si derbi i qytetit, dhe ndaj një skuadre që donte me patjetër fitoren. Gjermani u detyrua të linte pushim treshen e sulmit, Salah-Mane-Firmino, po ashtu mesfushorët Henderson e Vajnaldum, mbrojtësin e qendrës Van Dajk, mbrojtësit e krahut Robertson e Aleksandër-Arnold si dhe portierin Alison. Pra, praktikisht një skuadër të tërë. Përveç tyre, Xhejms Milner u dëmtua që në fillim, Zhoel Matim e Xherdan Shaqiri janë gjithashtu të lënduar.
Liverpuli luajti thuajse sikur të kishte në fushë titullarët. Mesfusha ishte superiore ndaj Evertonit, duke pasur zotërim topi dhe presion. Vendimtar, 22-vjeçari Çirivela, spanjoll i marrë nga Valencia, ndërsa u ndje prania në fushë e 22-vjeçarit Xho Gomez në mbrojtje, e Divok Origit 24-vjeçar në sulm apo e Nataniel Filipsit 22-vjeçar. Japonezi Minamino bëri debutimin, dhe 24-vjeçari e mori veten dalë nga dalë.
Në formacion ishin edhe 18-vjeçari Uilliams dhe sidomos 16-vjeçari Hervej Eliot, për të cilin parashikohet gjithashtu një e ardhme e madhe në “Anfild”. Klop aktivizoi 26-vjeçarin Okslejd-Çembërlen të kthyer nga dëmtimi, po ashtu 19-vjeçarin Rian Brujster, ndërsa Kelleher (21 vjeç), u mbajt në stol, ashtu si 17-vjeçari Hëver.
Sfidanti.al