Përpara tij, numri 1 në këtë renditje ishte Xhejzën Kid. Ish-ylli amerikan i Dallas Maveriksit kishte arritur më shumë tripëll dabëlla se kushdo tjetër në historinë e klubit, por tani do të duhet të përgëzojë Luka Donçiçin. Basketbollisti 21-vjeçar slloven e rriti edhe më tej legjendën e tij në NBA, duke arritur tripëll dabëllin e 10-të të sezonit, një më shumë sesa Kid, e duke qenë më i mirë i Dallasit për të gjitha kohët.
Nuk ishte një tripëll dabëll i zakonshëm, pasi Donçiç shënoi plot 39 pikë, ndërsa u mbajt në fushë për më shumë se 43 minuta në ndeshjen që përfundoi pas kohës shtesë, pra që zgjati 53 minuta gjithsej. Lumturia e ish-lojtarit të Realit të Madridit nuk ishte e plotë, pasi Dallasi u mund në fushën e vet nga Sharlota, 120-123. Donçiç pati edhe 12 topa në tabela e 10 asistë, si dhe pati dy vjedhje topash.
Slloveni është një nga shënuesit më të mirë të sezoni, me 911 pikë gjithsej, duke lënë pas yje të tillë si Lebron Xhejms, Rasëll Uestbruk apo Koui Leonard. Ai është i treti në renditjen e shënuesve në NBA pas Hardenit dhe Antetokumbos, dhe i treti në renditjen e asisteve, i lënë prapa vetëm nga Lebron Xhejms dhe spanjolli Riki Rubio.
Dallasi, ndërkaq, është në vend të 6-të në Perëndim, me 22 fitore e 13 humbje, shumë më mirë sesa vjet, por edhe jo një skuadër që mund të pretendojë seriozisht titullin në NBA.
Sfidanti.al