Do të mbahet mend përjetë ky sezon, sido që të përfundojë. Në futbollin profesionist zona më delikate për çdo skuadër është qendra e mbrojtjes dhe Liverpuli atë e ka “gropë”. Gjithsesi, duket se mungesa e qendërmbrojtësve nuk ka qenë arsyeja për luhatjet e mëdha të të kuqve këtë sezon, siç e provoi fitorja e dytë në Londër për Premier Ligëm me të njëjtat shifra 3-1. Pasi mposhti Totenhemin në “Uajt Hart Lejn”, ekipi i trajnerit Jurgen Klop triumfoi në stadiumin e Uest Hemit, duke treguar nivel tepër të lartë loje sidomos pas pushimit.
Pa Van Dajkun, Gomezin e Matipin dhe me mesfushorin Fabinjo të dëmtuar gjithashtu, Klopi u detyrua të emëronte dyshen e 12-të të ndryshme në prapavijë nga 21 ndeshje gjithsej. Atu luajti ai që nuk është aspak titullar, Filips, si dhe kapiteni Xhordan Henderson, një tjetër mesfushor që dobësoi mesin e fushës për kampionët. Pa problem, madje edhe kur Sadio Mane nuk luan për shkak dëmtimi, ndërsa Bobi Firmino hyn në fushë në pjesën e dytë sepse ka nevojë të shlodhet.
Mohamed Salah është ylli tjetër i sulmit që shënoi dy herë atëherë kur duhej. Po ashtu, Firmino e tregoi veten për aq sa luajti duke krijuar golin e Vajnaldumit, e duke bërë që holandezi ta festonte siç duhet ndeshjen e tij të 200-të në Premier Ligë. Xherdan Shaqiri ishte titullar dhe luajti 69’, me shqiptarin e Zvicrës që po fiton kredibilitet tek Liverpuli. Pas kësaj fitoreje, ekipi i Klopit ka 40 pikë, ndaj 41 të Mançester Junajtidit e 44 të Mançester Sitit, por ekipi i Guardiolës ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Të dielën e ardhshme në “Anfild do të luhet supersfida Liverpul-Mançester Siti.
Sfidanti.al